Sipas kryeredaktorit dhe  njëkohësisht drejtorit të Institutit të Studimeve Orientale në Prishtinë Prof. dr. Muhamed Mufaku, kjo risi e revistës vjen pas ndryshimeve institucionale. Ai ka sqaruar se pas formimit të Degës së Orientalistikës në vitin 1973, është formuar më pas Shoqata e Orientalistëve të Kosovës në vitin 2006, e cila filloi të botojë revistën “Studime Orientale” në gjuhën shqipe. Mufaku ka thënë se me themelimin e Institutit për Studime Orientale (ISO) në fund të vitit 2016, është marrë një vendim për botimin e revistës “Studime Orientale” nga ana e këtij Instituti, pasi tashmë orientalistët ishin bashkuar nën një ombrellë.

Prof. dr. Mufaku gjithashtu sqaron se “duke marrë parasysh se Statuti i këtij Instituti thekson edhe për promovimin e shkencës dhe të kulturës shqiptare në botë, u vendos që revista “Studime Orientale” të dalë në pesë gjuhë të ndryshme, në të cilat janë botuar punime origjinale dhe punime të përkthyera nga gjuha shqipe në gjuhët e tjera”.

Numri 4 i revistës “Studime Orientale”, ka 250 faqe dhe në të përfshihen tre punime origjinale që trajtojnë tema të ndryshme së bashku me përkthimin në gjuhën arabe të punimit të Dr. Skënder Gashit për egjiptianët e Kosovës. Një prej punimeve origjinale, është ai që ndriçon jetën dhe veprën e shkrimtarit dhe politikanit të njohur Mehdi Frashëri sa ishte guvernator i Jerusalemit ose i Palestinës, siç quhej më 1912, i cili doli me një përvojë të pasur që reflekton në fjalimin e tij në Ligën e Kombeve më 1937, në të cilin paraqiti një vizion të vetin për zgjedhjen e konfliktit midis arabëve dhe hebrenjve në atë vend. Prof. ass. dr. Abdulla Rexhepi gjithashtu ka një punim origjinal me temë: “Logjika e Aristotelit në medresetë shqiptare” dhe punimi i tretë është shkruar prej Prof. assoc. dr. Isa Memishit që prezanton Fjalorin e parë historik të gjuhës arabe, i cili u botua në Doha më 2018.

Një tjetër punim origjinal vjen në gjuhën turke nga Fatma Shehu, e cila prezanton veshjet tradicionale shqiptare në fshatin Guri i Bardhë të Shqipërisë deri në shekullin XV.

Në përbërjen e redaksisë së Revistës “Studime Orientale” ka orientalistë me emër si nga Kosova ashtu edhe nga Ballkani, ku mund të përmendim Prof. dr. Muhamed Mufaku, Prof. dr. Abdullah Hamiti, Prof. assoc. dr. Munir Mujić, Prof. dr. Tatjana Paić-Vukić, Prof. assoc. dr. Nuran Malta, Prof. assoc. dr. Xhemile Abdiu, Prof. assoc. dr. Isa Memishi, Prof. assoc. dr. Nehat Krasniqi, Prof. ass. dr. Abdulla Rexhepi dhe Phd. cand. Zeqije Xhafçe dhe një bord konsultativ ndërkombëtar me emra të njohur nga Franca, Polonia, Bullgaria, Turqia, Irani, Libani, Egjipti dhe Tunizia.
Marrë nga: http://orientalstudies-ks.com/