Historiku


Revista PERLA

Revista Perla botohet pa ndërprerje që prej vitit 1996 dhe ka qenë një prej tribunave kryesore për studiuesit e kulturës e të shkencës, për profesorët dhe studentët e universiteteve.

Afro 23-vite më parë, kur një grup studiuesish nismëtarë iu përgjigjën pozitivisht ftesës së themeluesit të Fondacionit “Saadi Shirazi” z. Ali Akbar Zijai për t’u bashkuar në një redaksi pune që do të botonte një revistë për lidhjet historike-kulturore shqiptaro-perse, më shumë se ndonjë optimizëm i argumentuar njerëzit i bashkoi vullneti i mirë për të provuar një projekt të ri. Ishte koha kur revistat shkencore, ashtu si rrathët e pemëve në dimrat e vështirë, qenë ngushtuar së tepërmi. Pjesa më e madhe e tyre e kishin humbur kalendarin dhe periodicitetin. Një numër mjaftonte për të mbuluar 2-4 vëllimet e dikurshme të vitit. Interesi për librin kishte rënë në trotuare. Një pjesë e mirë e studiuesve ishin larguar jashtë vendit ose kishin braktisur profesionin e vjetër. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto rrethana, që vështirësonin në përgjithësi punën e botimeve, ishte koha kur “miti i Perëndimit”, më i fortë e më i shpërfaqur se kurdoherë, sundonte mendësinë shqiptare tërësisht dhe jo vetëm kaq: një dyshim i përgjithshëm dhe një frymë përjashtimi ekzistonte për çdo vlerë që mund të përthirrej nga qytetërimet klasike e bashkëkohore lindore.

“Perla” u mbijetoi denjësisht këtyre provave të vështira. Me hapa të ngadaltë, por të sigurt, ajo arriti të hyjë në komunikim me lexuesin e interesuar dhe të zgjojë interes bashkëpunimi në mjedise universitare dhe akademike. Duke pasur si mbështetje traditat më të mira të shkollës së orientalistëve vendës, të cilët kanë lënë gjurmë historike në kërkimin e lidhjeve kulturore midis traditave shqiptare dhe atyre të popujve të Lindjes (prej F. Nolit e Hafiz Ali Korçës deri tek V. Buhara, T. Dizdari, M. Janina, A. Sahatçi, F. Vokopola, H. Sharofi, E. Duka); duke ftuar për bashkëpunim orientalistët e formuar gjatë periudhës së pasluftës (G. Shpuza, P. Thëngjilli, S. Tomçini, Th. Murzaku); duke mirëpritur ndihmesat shkencore të orientalistëve shqiptarë jashtë kufijve shtetërorë (M. Bamja, A. Rexhepi, Feti Mediu), si dhe duke pasur në vijimësi studime të persologëve më të shquar iranianë, mund të thuhet se “Perla” arriti të ringrejë autoritetin gati të errësuar të traditës së studimeve orientale, aq shumë e lëvduar dikur. Hyrja në fushën e përkthimit të letërsisë perse në shqip e disa autoriteve të letrave, si Dh. Qiriazi, D. Shapllo, Xh. Spahiu, V. Shita, P. Jorgoni, D. Çetaku), i shtoi kësaj tradite vlera të reja. Studimet albanologjike gjetën tek “Perla” një tribunë me kërkesa bashkëkohore të cilësisë shkencore dhe bashkuan disa breza dijetarësh, përvoja e të cilëve pati shërbim të ndërsjelltë. Eshtë në nderin e kësaj reviste që gjeti frymë dashamirësie dhe bashkëpunimi midis emrash të tillë të shquar të dijeve shqiptare, si Sh. Demiraj, R. Sokoli, E. Riza, N. Jorgaqi, N. Ceka, A. Meksi. Sidomos gjatë dekadës së fundme dhjetëra e dhjetëra bashkëpunëtorë të breznive më të reja ofruan vullnetarisht studime e artikuj, që gjetën botim në faqet e “Perlës”. Duhet thënë se karakteri i hapur i kësaj tribune dhe politika e denjë botuese e saj afruan sidomos studiuesit e rinj, në formim e sipër, duke u dhënë atyre mundësi paraqitjeje publike të rezultateve të arritura në përputhje me kërkesat shkencore të kohës.

Ndihmesat në fushë të albanologjisë të botuara në 81 numra të vijueshëm të revistës “Perla” kanë jo vetëm ngjashmëri që vjen prej objektit vetë, por edhe përafri që lidhen me vështrimin e argumenteve të këtyre fushave të pandara prej prurjeve, ndikimeve dhe bashkëpërkimeve me kultura të Orientit klasik e bashkëkohor, sidomos në fushë të letërsisë, të gjuhësisë, të historisë, të shkrimeve dhe dorëshkrimeve, të arkivistikës, të besimit dhe psikologjisë, të traditave popullore në ndërtimin e banesës, të festave dhe riteve kryesore të jetës, të instrumenteve dhe mekameve muzikore, të faltoreve dhe fushave të tjera. Tanimë “Perla” është një revistë e stabilizuar, me një fytyrë të identifikuar plotësisht, me zonën e saj të veprimit e të ndikimit, me kërkesa në rritje për cilësi, standarde shkencore dhe risi. Ajo ka pajtimtarët e vet në shumicën e qendrave të studimeve albanogjike jo vetëm të hapësirës dhe botës shqiptare, po dhe të atyre të huaja: në Itali, në Gjermani e Austri, në Turqi e Rusi. Në numrin e 50-të (2008/3) të revistës “Perla” është botuar bibliografia tërësore e studimeve dhe informacioneve të botuara prej fillimeve të saj deri në vitin 2008. Vetë kjo bibliografi shpreh në mënyrën më të qartë rritjen e kësaj reviste, përhapjen e saj në rrethe gjithnjë e më të gjerë dijetarësh, arritjen e ndihmesave shkencore prej studiuesish të huaj, pavarësisht bindjeve, besimit, ideologjisë dhe formimit të tyre. 5 vite më vonë në numrin 3-4 të vitit 2013 është botuar një bibliografi e dytë dhe me krenari mund të thuhet se “Perla” është tashmë jo vetëm një revistë e referuar në shumë studime shkencore, por dhe një referencë e studimeve bashkëkohore të fushëpamjes së saj, sidomos për lidhjet shqiptaro-iraniane.

Më 2015 revista Perla mori edhe numrin serial të ISSN (International Standard Serial Number) prej Qendrës Ndërkombëtare të ISSN me seli në Paris Francë. Vlen të theksohet se gjatë dy viteve të fundit “Perla” ka tejkaluar çdo shmangie prej kalendarit dhe periodicitetit të rregullt, duke respektuar korrektësisht lexuesin e vet. Kjo është shprehje e një konsolidimi jo vetëm shkencor, por edhe formal, duke sjellë në mendje të lexuesit faktin që edhe gjatë këtyre viteve revista të ngjashme ose kanë pushuar së vepruari, ose e kanë rralluar botimin, ose numrat vijues i janë nënshtruar rastësisë. Kjo është një meritë që s’mund të ndahet midis Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi”, që ka mundësuar financiarisht botimin e saj, dhe redaksisë së revistës e bashkëpunëtorëve të saj, që kanë siguruar rregullisht mundësi përzgjedhjeje cilësore të lëndës së nevojshme për botim. Në vitet që do të vijnë revista “Perla” do të forcojë disa prej tipareve më të vlefshme të saj.. Lidhjet me revista shkencore të fushave të albanologjisë, iranologjisë dhe orientalistikës do të forcohen e institucionalizohen. Do të vazhdojë botimi i herëpashershëm i numrave specialë tematikë. “Perla” edhe më tej do të luajë rolin e saj jo vetëm si tribunë shkencore, por edhe si nxitëse e botimeve të bibliotekës përkatëse të njohjes së ndërsjelltë të dy kulturave, duke vërejtur se çdo shkallë e re njohjeje vetëm se bën të ditur nevojën e studimeve më të thella. Revista po studion gjithashtu mundësitë e ndryshimit formal të shërbimit të lëndës, duke ndjekur modelet më të respektuar të kësaj familjeje botimesh në Perëndim. Redaksia e revistës “Perla” u shpreh mirënjohjen e vet të gjithë bashkëpunëtorëve të saj, si dhe siguron lexuesin e vet për vijimin korrekt të rrugës në të cilën po ecën, duke ndjekur rreptësisht disiplinën shkencore me kërkesa në rritje.

Albanian